Sa
herë që një nuse me viziton në sallon dhe i drejtoj pyetjen “si e ke imagjinuar
fustanin tënd të nusërisë?” i druhem shumë përgjigjes “stil princeshe”.
Ah,
këto princeshat me të cilat jemi rritur, Hirushja apo Borëbardha… të paktën të
zgjidhnit Frozenin o goca, që e ka fustanin me një fryrje më të natyrshme, por
e keqja është se në moshën kur keni njohur ekzistencën e Frozen, o jeni bërë
nëna dhe shihni filmat e Disney-t bashkë me vajzat tuaja, ose jeni shumë të
rritura për të ëndërruar.

Megjithatë,
tek mendoj riprodhimin e filmit Cinderella, të cilin e prita me shpresën e një
tjetër imazhi princeshe, dorëzohem para asaj dekolteje dhe e vetmja gjë për të
cilën nuk bie dakord është fryrja. Ah kjo fryrja…!

Kjo
fryrja që juve ju bën të buzëqeshni kur dilni nga dhoma e provës dhe që në
hapat e parë drejt pasqyrës ju e ndjeni pushtetin e madhështisë së saj. Kur
keni veshur një fustan me atë fryrje, ju ecni të sigurta, për çudi edhe shpinën
e mbani drejt, pavarësisht peshës që ai fustan mbart. Siguri që nuk e përçoni
kur vishni një fustan të drejtë, që ju kornizon linjat edhe kur ato janë aq të
bukura e të rregullta sa të lënë pa frymë.
Janë
të shumta vajzat që, pavarësisht linjave të tyre të përkryera, zgjedhin të
veshin një fustan me fryrje princeshe, duke i fshehur në këtë mënyrë linjat e
tyre, që sipas mendimit tim, duhen nxjerrë në pah. Nëse duhet të bëjmë një
diskutim se si duhet ta zgjedhim një fustan nusërie, duhet t’ju jap pak
informacion.
Nëse
je një vajzë shtatlartë e me trup e forma të rregullta, gjëja e fundit që duhet
të mendosh është një fustan i fryrë. Fustanet e fryrë janë të përshtatshëm për
vajza me gjatësi mesatare. Fryrja ndihmon vizualisht të dukesh më e gjatë, falë
distancës që krijohet me partnerin dhe të ftuarit, për shkak të gjerësisë së
fustanit. Kurora e lartë dhe një krehje më e lartë se kurora ndihmojnë
gjithashtu në zgjatjen e figurës së nuses.

Edhe
pse shpesh stili princeshë duket sikur është i duhuri për cdo vajzë, më të
favorizuarat nga ky model janë vajzat me vithe të gjera dhe bel të ngushtë, që
me këtë model mund të nxjerrin në pah pikat e tyre të forta dhe të fshehin
gjërësinë e vitheve dhe jo vetëm. Është model i përshtatshëm edhe për të
nxjerrë në pah dekoltenë, që zakonisht paraqitet e thellë në modelet stil
princeshe (edhe pse princeshat e vërteta nuk e ekzagjerojnë me dekoltenë).
Megjithatë
do thënë që stili princeshë nuk perëndon kurrë, nuk del kurrë nga moda, por nuk
është kurrë fort në modë, edhe pse, për arsyen e parë, në sfilatat e të
mëdhenjve të modës do ta gjejmë gjithmonë një fustan me fund të fryrë, të pasur
me qëndisma dhe dantella të çmuara, për ato nuse që duan të ndihen vërtet
princesha,
Por
të gjitha këto të bëjnë vallë të dukesh si princeshë?
Le
të shohim princeshat e vërteta. Lady Diana, për shembull, ishte ndër të fundit
princesha që përdori një fustan të fryrë.

Princeshat
e kohëve moderne zgjedhin gjithmonë të jenë midis, asnjëherë shumë
sexy, asnjeherë shumë kukull. Këtu mund të sjellim ndërmend Kate Middelton apo
Princeshën Victoria të Suedisë.

Por
ne nuk jetojmë as në Angli e as në Suedi. Ne jemi mesdhetarë dhe duam të biem
në sy, duam të jetojmë përrallën, që mbase nuk e kemi në përditshmërinë tonë,
duam të ndihemi si ato princeshat e përrallave dhe jo si ato princeshat e
vërteta, të cilat jo të gjitha kanë pasur fund të lumtur. E për sa kohë ai
fustani i fryrë të bën të buzeqeshësh kur del nga dhoma e provës, edhe unë them
bashkë me nusen ‘’Në djall të vejë “SI DUHET”! Të paktën një herë në jetë do ta
bëj “SI DUA”.

Tashmë e ke zgjedhur këtë fustan të
mrekullueshëm me fryrje princeshe, imponues por të rëndë dhe jo komod, nga i
cili nuk do të hiqje dorë për asgjë në botë. Është i vetmi që të bën të ndihesh
nuse, por megjithatë ke frikën që pas pak, pasi e ke veshur, nuk do ta
menaxhoje dot? Atëherë të këshilloj të planifikosh patjetër një buxhet për një
tjetër fustan, më pak formal dhe me të lehtë, për ta pasur veshur në pjesën e
dytë të festës dhe ta marrësh pogonishten shtruar, siç i ka lezet një nuseje