Data e dasmës është vendosur. Ke filluar të bësh
rezervimet e para në lidhje me shërbimet e nevojshme për ditën e madhe, por
ndjesinë që po martohesh vërtet e ke vetëm kur vjen të provosh fustanin e
nusërisë. Që kur lë takimin, je e ekzaltuar. Po kë do të marësh me vete, në
sallonin e fustaneve të nusërisë?
Kujt i beson vërtet? Kush të njeh aq mirë, sa ta
kuptojë me pak fjalë se çfarë ti do? Kush do paguajë për fustanin?
Nëse e ke përgjigjen e këtyre tre pyetjeve,
gjysmën e punës e ke të bërë. Duhet thënë se personat që do të të shoqërojnë
duhet jenë të një rëndësie të veçantë.
Ndër vite kam hasur me katër raste klasike të
“shoqëueseve të nuses’’, të pranishme në zgjedhjen e fustanit.
Nusja që
na viziton me shoqet

Kur nusja shoqërohet me shoqet, salla e provës
bëhet e zhurmshme. Katalogët shihen me një frymë, sepse gocat janë përdoruese
të rregullta të rrjeteve sociale dhe secila prej tyre ka parë fustanin e
preferuar për shoqen e saj. Unë jam e kënaqur, se përveçse mendoj se do ta kem
të thjeshtë të rekomandoj tendencat më të reja të modës së fundit në veshjet e
nusërisë, do të kem mundësinë kështu dhe të rekrutoj nuse të ardhshme (nëse
ndonjëra nga shoqet është ende beqare, e kam fjalën).
Në rastet kur shoqet janë jo më shumë se dy, puna
është e thjeshtë, vështirësia qëndron nëse janë më tepër se dy, sepse prej
natyre ne femrat kur jemi dy kemi katër mendje, mendoni vështirësinë kur jemi
katër, si do t’i përballoja tetë mendje?! Pra shkalla e vështirësisë rritet,
sidomos kur nusja nuk di çfarë do dhe është e ndikueshme. Më poshtë po ju
rendis llojet e shoqeve që shoqërojnë zakonisht nusen:
– Shoqja që është martuar vitin e kaluar dhe di
gjithçka (në materialin, linjën e fustanit, organizimin e festës). Me siguri
puna e saj e ardhshme do të jetë wedding planer .
– Shoqja që nuk i pëlqen dasmat dhe që deklaron
që martesa nuk bën për të. Pyetja ime në këtë rast është ’’po kjo ç’bën
këtu?’’.
– Shoqja me zemër të butë, e cila çfarëdo që ti
të veshesh ajo të thotë që dukesh yll dhe emocionohet në çdo të dalje tënden
para pasqyrës.
-Shoqja ziliqare, që komenton gjithmonë
negativisht ose nuk komenton fare fustanet gjatë proves.
– Shoqja e vërtetë, që në fund këshillon me
dashuri dhe vërtetësi, sepse ajo që do është vetëm të të shohë rrëzëllitëse në
ditën e dasmës.
Nisur nga ç‘ka kam renditur më sipër, zgjidhni
t’ju shoqërojnë shoqe TË VËRTETA.
Nusja që
na viziton me mamin dhe motrën

Ky është rasti që unë preferoj. Mamaja që
emocionohet, motrës që i shkëlqejnë sytë, nusja që përpiqet t’i fshehë
emocionet dhe qesh shumë… e dukshme që qesh për të fshehur tensionin që i
krijiohet nga lotët e mamit. Por kjo ndodh vetëm në fustanin e parë. Më pas
kemi të bëjmë me mamanë, që e ka të vështirë të pajtohet me frymën e re në
veshjen e nusërisë, por këtu na vjen në ndihmë motra, e cila di si ta bindë.
Dhe në fund të gjithë dorëzohen përpara së bukurës. Kur fustani që nusja mban
veshur është i duhuri , ka një magji në ajër, që askush nuk mund ta kontestojë,
qoftë kjo edhe nëna, që është njeriu më i dashur për nusen.
Nusja që
na viziton me vjehrrën
Rastet kur nusja e ardhshme na viziton me
vjehrrën, nuk janë të pakta. Ka krahina të Shqipërisë, ku është zakon që
vjehrra paguan për fustanin e nusërisë dhe është legjitime që ajo do të jetë e
pranishme në këtë zgjedhje. Në këtë rast nusja nuk ka alternativë.
Por ka edhe raste kur është nusja vetë që ia bën
ftesën vjehrrës, për të zgjedhur fustanin bashkë me të. Ama, është e dukshme
kur nusja ka ardhur me vjehrren dhe kunatën për t’i bërë qejfin, sepse janë
njerëzit e burrit ata që paguajnë. Ashtu si ka mjaft raste kur e ke të pamundur
t’i deshifrosh, nëse është mami apo vjehrra ajo që e shoqëron, pasi raporti i
tyre është mbrësëlënës. Janë të shumta restet që më vijnë ndërmend nga këto
raporte frymëzuese, ashtu si shpesh hasim dhe situata të tensionuara për shkak
të marrëdhënieve jo të mira nuse-vjehrrë. Kur mardhënia nuk është e mire, a ia
vlen prezenca apo vetoja në vendimin se cili do të jetë fustani që do te
zgjidhet, vetëm dhe vetëm se jane ata që paguajnë?! Ne të Geraldinës nuk e kemi
gjetur ende përgjigjen :).
Nusja që
na viziton me bashkëshortin e ardhshëm

Ky nuk është rast edhe aq i rrallë. Kur vajzat na
vizitojnë me bashkëshortin, zakonisht ndodh për disa arsye:
– Kur çifti janë shokë të pandarë , zgjedhin çdo
gjë bashkë.
– Kur ai ka shumë shije ose profesioni i tij
është i pakontestueshëm (ky ishte dhe rasti im, kur zgjodha fustanin e nusërisë
12 vite më parë .

– Kur ai nuk kupton asgjë nga veshjet në
përgjithësi, por është aty për t’i bërë qefin nuses ose për të pasur nën kontroll
shpenzimet (edhe pse kjo e fundit është ndër arsyet e rralla).
Nëse vendosni ta keni bashkëshortin e ardhshëm në
zgjedhjen e fustanit, nuk rrezikoni asnjë nga ato bestytnitë që keni dëgjuar të
flitet. Personalisht jam rasti konkret i një martese të mirë, me 2 fëmijë si
drita :).
E sigurt është se do humbisni efektin surprizë në
ditën e dasmës. Nëse nuk hyn në planet tuaja që ta surprizoni, jeni të
mirëpritur në çift.