I pari është buxheti, pastaj vijnë zgjedhjet

A duhet shpenzuar më shumë se ç’e kemi mundësinë? Dhe si duhen bërë zgjedhjet e duhura, që të kemi dasmën e ëndrrave pa shpenzuar shuma që nuk i kemi menduar as në ëndërr?

Tek shihja një ditë ulur në divan emisionin “Say yes to the dress”, një reality shumë i ngjashëm me ‘’Fustanin e ëndrrave’’, në të cilin bashkëpunoj me Orinda Hutën në “Vizion Plus”, më bëri përshtypje diçka tek nuset e huaja: ndryshe nga nuset që më vizitojnë në përditshmërinë time në sallon, ato nuk e kishin fare problem t’i komunikonin personit që po i ndihmonte me zgjedhjen e fustanit, buxhetin. Ndërkohë që nuset tek ne (përjashto vajzat që martohen me të huaj), kur i drejton pyetjen në fjalë, të përgjigjen: ‘’Nuk e kam të përcaktuar.’’ ose: ‘’Nuk ka problem, sa të jetë!’’ ose “Dua me të bukurin, nuk ta them shifrën, se pastaj ti nuk do më tregosh ato fustanet e bukur”, etj., etj.

Për të mos folur për rastet ku reagojnë jo mirë, sepse ti i ke pyetur për buxhetin. Përse tek ne është thuajse tabu kjo çështja e përcaktimit të buxhetit? Gjëja e parë që dikush duhet të përcaktojë në çdo blerje që bën është pikërisht buxheti.


Po ju jap një shembull konkret (pa lidhje me produktin në fjalë, por krahasimi qëndron deri diku).

Para disa ditësh shkova të blija një lavaman, në një showroom në dalje të Tiranës (humba 1 orë në trafik :-)). Aty më priti një vajzë e qeshur, të cilës i drejtova pyetjen “Sa kushtojnë lavamanët?”. Ajo m’u përgjigj menjëherë: “Po varet… fillojnë nga 500-4800 euro”. U shokova nga maksimumi që arrinte shifra për një lavaman (pasi nuk kisha informacion), por pa humbur kohë dhe pa bërë komente të tepërta, i komunikova që kisha nevojë për një lavaman që kushtonte 500 euro. Vajza më erdhi në ndihmë dhe unë bleva një lavaman 500 Euro, duke e detyruar veten të mos i shihja ato lavamanet e mrekullueshëm, fjala e fundit e design-it e që ishin pa diskutim mbi buxhetin që kisha ndërmend të shpenzoja. Në rastin e lavamanit unë ia dola të isha racionale, por nuk e di nëse do ia dilja po njësoj, po të bëhej fjalë për një fustan të mrekullueshëm mbrëmjeje, se tek e fundit edhe unë shqiptare jam.

Edhe pse shembulli nuk ka fort lidhje, unë do të doja që vetë e para dhe më pas nuset që më vizitojnë, t’ia dilnim të bëheshim si ato nuset e Perëndimit, të cilat buxhetin për fustanin e nusërisë e përcaktojnë në një tabelë të ftohtë exeli, pa u tunduar nga bukuria, që nuk ka fund kurrë… Pra, si t’ia dalim të shtrijmë këmbët sa kemi jorganin? Si të mundemi të mos tërhiqemi nga gjërat shumë të bukura dhe të kushtueshme? Mendoj se me disa këshilla mund t’ia dalim.