Oh, e adhuroj atë fustan të 2018-ës… por nuk e dua!

Të pëlqejnë apo jo tendencat e 2018 –ës në veshjet e nusërisë, nëse martohesh vitin e ardhshëm është e pamundur të mos ndikohesh prej tyre. Firmat në konkurrencë të fortë me njëra-tjetrën po prodhojnë gjithçka për të rekrutuar sa më shumë klientë, që të propozojnë në sallonet e tyre x apo y firmë. Se vërtet janë firmat furnizuese që e diktojnë modën, por ata që ia servirin atë klientit final (nuses) jemi ne, shitësit e pakicës. Të them të drejtën, unë stilistët e fustanëve të nusërisë ndër vite i kam ndarë në dy grupe:

Të adhurueshmit dhe të prekshmit


Të parët janë të mëdhenj të e modës delirante si Chanel, Ralph &Russo, Valentino, etj. Ata, falë emrit që kanë, propozojnë dhe krijojnë pa pasur merakun se si do të shitet dhe çfarë do të shitet. Ata propozojnë çudira nëpër pasarela. Po asnjëra nga nuset që unë njoh nuk do të guxonte të vishte atë fustan në ditën e saj të dasmës dhe po të dilte dikush që t’ia falte .


Të prekshmit janë ata që krijojnë dhe më pas prodhojnë të frymëzuar nga të adhurueshmit.Të prekshmit janë smart. Ata punojnë në bazë të kërkesave dhe dëshirave të nuseve. I dëgjojnë kërkesat e tyre (të përçuara tek ata nga vetë drejtuesit e salloneve të nusërisë në mbarë botën). Pra, nga ne, që falë punës që kemi zgjedhur të bëjmë, na takon të dëgjojmë dëshirat dhe pretendimet e çdo nuseje dhe stilistët nusen e vërtetë e njohin vetëm nëpërmjet nesh.

Çdo qytet në mbarë botën e ka të identifikuar sallonin më IN në veshjet e nusërisë dhe për këtë lloj salloni kontakti me stilistin bëhet i mundur. Për këtë unë i quaj ata “të prekshmit” :).

Edhe pse çdo vit njihemi me propozime të reja, nga eksperienca ime ndër vite, tendencat janë të ndjeshme çdo 5 vjet.Tek fustanet e nusërisë e reja rri më gjatë në treg se në veshjet e tjera. Kjo për arsye se veshja e nusërisë mbart në thelb klasiken dhe klasikja reziston gjatë. Gjatë fillimit të pranverës që lamë pas, në sfilatat e veshjeve të nusërisë pashë si çdo vit gjithçka: të fryrët, të ngushtët, fluturat, palat, mëngët… por elementët që viheshin re në thuajse të gjitha firmat furnizuese ishin disa dhe pikërisht këto përbëjnë tendencat e reja. Po ju njoh pak me to:

Lulet tredimensionale kishim filluar t’i vinim re në 2017-ën, por në 2018-ën do t’i gjeni pa diskutim fustanet që lulen e kanë me reliev. Vajzat me gjoks të vogël do kënaqen shumë kur këto aplika të gjenden në pjesën e gjoksit. Do t’i ndihmojnë të rrisin një masë.


Dekoltetë dhe shpinat sexy… këtë e keni peshqesh nga izraelitët. Frymën e re të fustaneve tejet sexy në modën e veshjeve te nusërisë e sollën ata pak vite më parë. Berta Bridal, Galia Lahav, Inbal Dror janë linjat izraelite që po i bëjnë nuset sexy. Vetëm se nuset e ardhshme duhet të kenë parasysh që për të qenë sexy ditën e dasmës duhet te jesh e tillë dhe në përditshmërinë tënde. Kujdes! Mos zgjidh të jesh jashtë natyre tamam në ditën e dasmës tënde .Linjat Sirenë (të cilat nga një pjesë e nuseve në Shqipëri konsiderohen si fustan i dytë në zgjedhje, pas atij të fryrit) i gjejmë më të ngushta në hapjen fundore në propozimet e 2018-ës. Pra, nuk do të kemi një sirenë me një hapje të fortë nga gjuri e poshtë, por një hapje më natyrale, e cila të çon më shumë drejt elegancës se sa drejt pamjes sexy.