Kur bëja pajën… e cila është akoma në modë

Tek po luante me bojëra, djali im 8-vjeçar më njollosi një kuvertë dhe instiktivisht reagova “Moooos, kuverta që kam sjellë në pajë!”. Im shoq u shkri së qeshuri… ndërsa Jon (djali) më pyeti: O maaa…çfarë është paja?!

Fillova të qesh dhe vetë pasi e thashë, sepse dhe unë bëj pjesë tek ai brez që shkoi në martesë pas një bashkëjetese. Dhe në këtë kontekst, koncepti “pajë” nuk ka rëndësinë që ka pasur dikur. Pasi i shpjegova djalit se çfarë ishte paja, më lindi ideja ta prekja pakëz këtë temë në shkrimin e radhës.


Çfarë rëndësie ka pasur paja tek vajzat? A bëjnë pajë nuset e sotshme? Si të bësh pajën sot?

Për here të pare jam njohur me pajën kur shihja dy tezet e mia, beqare asokohe, në moshë shumë të re, që uleshin në një orar të caktuar të ditës dhe punonin mbi disa rrugica të bëra me material thesi, të cilat i qëndisnin me fill deveje në ngjyrime të bukura, rombe apo lule. E tëra punë artizanale. Më kot u munduan tezet e shkreta, se “kur u doli fati” ishin 35-vjeçare dhe as i mbanin më mend ku i kishin degdisur ato rrugica, të cilave u kishin kushtuar orë të tëra pune.