Sa shumë kam pritur për tju dhënë këtë lajm!

Si shumë vajza, edhe unë jam rritur duke adhuruar veshjet e mamit tim. Ajo më dukej më e bukura dhe më modernia (asokohe maksimumi i adhurimit për modën shkonte te Parashqevi Simaku, që mami im ia kalonte si për nga bukuria edhe nga shija në të veshur. Përpiqej të spikaste me shijen e saj dhe pse nuk ishte e lehtë të bëje modë në atë kohë. Për ta ilustruar, po ndaj me ju këtë foto nga fëmijëria ime, foto që kur vajza ime e sheh thotë ’’Aaaaaa, sa cute! Edhe në kohët e vjetra ju bënit matchy matchy?’’



Kujtoj që duhet të kem qenë rreth moshës 6 ose 7- vjeçare kur e vëzhgoja mamin tek bëhej gati për të shkuar diku dhe në mendje më ka mbetur momenti kur vishte ato getat e xhamta në këmbët e bukura dhe menjëherë pas tyre vishte këpucët. Më pas vishte fustanin dhe pastaj, me hapa të sigurt, ecte drejt pasqyrës (me vetëdije të plotë që unë po e këqyrja gjithë ëndje), duke më thënë: ’’Marcela, një grua e vërtetë nuk duhet të shihet kurrë në pasqyrë pa veshur këpucët, gjithë eleganca e saj është aty… tek këpucët’’. Dhe kujtoj që kur luaja me “të rritura”, para se të vishja fustanet e saj, të parat vishja këpucët e më pas ecja pa siguri me këpucët që më dilnin nga këmba dhe “admiroja’’ edhe unë veten në pasqyrë, zakon të cilin e ruaj ende sot, por këpucët nuk më dalin më nga këmba.
E ndava këtë fragment të fëmijërisë sime me ju, për t’ju treguar se prej sa shumë vitesh unë bart këtë pasion për këpucën, të cilin nga sot nuk do ta quaja më vetëm të tillë.